**Klina: 30 ditë afat për lirimin e hapësirës ku do të ndërtohet parkingu publik**

Komuna e Klinës u ka bërë me dije banorëve dhe subjekteve afariste që kanë ngritur garazhe ose struktura të tjera të përkohshme në zonën Stupovi, konkretisht në parcelën 516-5 të ZK Klinë, se duhet t’i largojnë këto objekte brenda një afati prej 30 ditësh nga data e publikimit të këtij njoftimi.

Kjo hapësirë, sipas Komunës, është paraparë për ndërtimin e një parkingu publik, i cili do t’u shërbejë nevojave të banorëve dhe qytetarëve.

Autoritetet komunale kanë theksuar se, në rast të mosrespektimit të këtij afati, Inspektorati Komunal do të ndërmarrë masat e nevojshme, në përputhje me dispozitat ligjore, për lirimin e hapësirave publike dhe realizimin e projektit të planifikuar.

Nga Komuna është kërkuar mirëkuptimi dhe bashkëpunimi i qytetarëve për zbatimin me sukses të këtij projekti.