Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përgëzuar ekipin shqiptar të matematikës pas një suksesi historik në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2026), e cila u zhvillua në Shangai.
Në një mesazh urimi, kreu i qeverisë theksoi arritjen e jashtëzakonshme të nxënësve, të cilët siguruan dy medalje bronzi, të fituara nga Marius Gjika dhe Jamarbër Rushitaj, si dhe një Medalje Nderi për Orest Sherkon.
Rama theksoi se ky rezultat shënon suksesin e dytë më të mirë në historinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në IMO, që prej vitit 1993, duke e cilësuar këtë moment si një burim krenarie për mbarë vendin.
Në mesazhin e tij, Rama shkroi: “Ekipi shqiptar fitoi dy Medalje Bronzi me nxënësit Marius Gjika dhe Jamarbër Rushitaj, si dhe një Medalje Nderi me nxënësin Orest Sherko. Në historinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në IMO, që nga viti 1993, ekipi në IMO 2026 ka arritur rezultatin e dytë më të mirë të vendit për nga pikët e grumbulluara, duke na bërë të gjithëve krenarë.”
