Siguria Ushqimore: A janë frutat dhe perimet tona të sigurta nga pesticidet?

Përditë, frutat dhe perimet përbëjnë një pjesë thelbësore të dietës sonë, duke u konsideruar jetike për një shëndet të mirë. Megjithatë, pas pamjes së tyre të freskët dhe ngjyrave joshëse, shtrohet pyetja: sa të sigurta janë vërtet produktet që konsumojmë?

Pesticidet janë një komponent i domosdoshëm i bujqësisë moderne, përdorur për të mbrojtur kulturat nga sëmundjet dhe dëmtuesit. Por, përdorimi i tyre në kundërshtim me rregullat ose tejkalimi i kufijve të lejuar të mbetjeve, mund të shkaktojë shqetësim për shëndetin e konsumatorëve.

Për të siguruar produkte të sigurta në treg, kontrollet institucionale dhe analizat laboratorike luajnë një rol jetik. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) thekson se produktet vendore dhe të importuara i nënshtrohen kontrolleve zyrtare, duke përfshirë marrjen e mostrave dhe testimin për mbetjet e pesticideve.

Lidhur me këtë temë, KosovaPress ka biseduar me zyrtarë të AUV-së, ekspertë bujqësie dhe përfaqësues të Organizatës “Konsumatori”. Burim Ahmeti, shef i Inspektoratit Fitosanitar në AUV, thekson se siguria ushqimore dhe mbrojtja e shëndetit të konsumatorëve janë prioritete kryesore. Ai shton se kontrollet zyrtare zbatohen në të gjithë zinxhirin e furnizimit, si për produktet vendore ashtu edhe për ato të importuara, bazuar në legjislacionin në fuqi, planet e kontrollit dhe analizën e rrezikut. Këto përfshijnë marrjen e mostrave dhe testimin në laboratorë të akredituar.

Ahmeti sqaron se kontrollet nuk fokusohen në kultura specifike, por zbatohen për të gjitha produktet bujqësore. Deri më tani, sipas tij, nuk janë identifikuar raste të tejkalimit të normave të lejuara të mbetjeve të pesticideve. Respektimi i rregullave nga fermerët verifikohet përmes inspektimeve zyrtare, kontrollit të dokumentacionit dhe analizave laboratorike. Në rast shkeljesh, merren masat ligjore përkatëse.

Nga ana tjetër, kryetari i Organizatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ngre shqetësimin për mungesën e informimit të qytetarëve dhe kontrollet e pamjaftueshme institucionale. Ai dyshon në efikasitetin e kontrolleve aktuale, duke vënë në pikëpyetje edhe realizimin e objektivit të AUV-së për të kontrolluar vetëm 1.5% të produkteve. Kaçaniku thekson se mbikëqyrja e tregut është e pamundur pa bashkëpunimin aktiv të qytetarëve konsumatorë. Për këtë arsye, Kaçaniku këshillon konsumatorët të jenë më të kujdesshëm, duke zgjedhur produkte me deklaracion dhe duke shmangur tregtarët që kanë humbur besimin. Ai gjithashtu rekomandon larjen e frutave dhe perimeve me sodë bikarboni ose uthull para konsumimit.

Eksperti i bujqësisë, Fatmir Selimi, konfirmon se pesticidet janë të domosdoshme për mbrojtjen e kulturave. Ai thekson se, nëse përdoren sipas udhëzimeve dhe legjislacionit, ato nuk paraqesin rrezik për shëndetin e njeriut. Megjithatë, Selimi vlerëson se kontrollet aktuale duhet të forcohen ndjeshëm. Ai veçon mungesën e inspektorëve në terren dhe kapacitetet e kufizuara laboratorike si sfida kryesore që pengojnë monitorimin efektiv të produkteve bujqësore, si dhe ndikojnë negativisht në procesin e eksportit të tyre.

Për të parë nivelin e informimit të qytetarëve, KosovaPress ka realizuar një anketim në treg. Disa prej tyre kanë shprehur mungesë njohurish rreth pesticideve dhe rolit të tyre në bujqësi, ndërsa kanë refuzuar të flasin para kamerës për këtë çështje.