**Oda Ekonomike Amerikane Shqetësohet për Varësinë nga Masat e Njëhershme Financiare**

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me varësinë në rritje nga masat e përkohshme të mbështetjes financiare, të cilat po përdoren si përgjigje ndaj sfidave ekonomike dhe presioneve të inflacionit. Oda thekson se, ndonëse mbështetja e kategorive të cenueshme dhe ruajtja e fuqisë blerëse të qytetarëve janë objektiva të rëndësishme, masat e njëhershme financiare ofrojnë vetëm lehtësim afatshkurtër dhe nuk adresojnë faktorët strukturorë thelbësorë për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Nëpërmjet një komunikate për media, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shprehet e bindur se masat e përqendruara kryesisht në stimulimin e konsumit afatshkurtër rrezikojnë të kenë një ndikim të kufizuar ekonomik në afatgjatë. Kjo vlen veçanërisht për një ekonomi si ajo e Kosovës, ku një pjesë e konsiderueshme e rritjes së konsumit përkthehet në rritje të importeve, në vend të nxitjes së prodhimit vendor dhe investimeve. Këto masa, po ashtu, zvogëlojnë disponueshmërinë e fondeve publike për iniciativa dhe investime me ndikim më të madh ekonomik dhe me përfitime më të gjera e më afatgjata.

Në vend të pagesave të përkohshme dhe të njëhershme, fokusi duhet të zhvendoset drejt investimeve në infrastrukturë dhe në politika që fuqizojnë ekosistemin e sektorit privat. Investimet strategjike në infrastrukturën e transportit, të energjisë, atë digjitale, si dhe në arsim dhe zhvillim të fuqisë punëtore, krijojnë kushte që u mundësojnë bizneseve të zgjerojnë aktivitetet e tyre dhe të rrisin produktivitetin.

Fuqizimi i sektorit privat ka ndikim më të gjerë dhe më të qëndrueshëm në shoqëri. Një sektor privat më konkurrues dhe në rritje gjeneron mundësi të reja punësimi, kontribuon në rritjen graduale të pagave dhe krijon stimuj për përmirësimin e kushteve të punës dhe investimin në zhvillimin profesional të punonjësve. Rritja ekonomike e nxitur nga investimet produktive ofron përfitime më të forta dhe më afatgjata sesa masat e përkohshme të konsumit.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë rithekson se prosperiteti i qëndrueshëm arrihet përmes politikave që forcojnë bazat ekonomike, përmirësojnë konkurrueshmërinë dhe krijojnë një mjedis ku bizneset mund të zhvillohen dhe qytetarët të përfitojnë nga punësimi i qëndrueshëm dhe standarde më të larta jetese.