Serbia Pas Zgjedhjeve: Skenarët e Beogradit dhe BE-së Pas Fitores së ‘Listës Studentore’

Fillimisht dukej i pamundur opsioni që presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, t’i pranonte rezultatet e zgjedhjeve. Megjithatë, rezultati bindës i zgjedhjeve e detyroi atë të pranonte humbjen, me qëllim parandalimin e dhunës së mundshme dhe ruajtjen e qetësisë.

Beogradi ka përjetuar një periudhë relativisht të qetë gjatë viteve të fundit, edhe gjatë protestave masive, pa dhunë ndaj institucioneve shtetërore dhe pa shkatërrime të pronës publike apo private. Kjo qasje ndryshon nga ajo e dëshmuar në qytete si Parisi dhe Tirana.

Duke mos pasur figura të njohura publike për të udhëhequr formimin e qeverisë, “Lista Studentore” ndoqi një kurs tradicional etnonacionalist serb gjatë fushatës, duke konkurruar drejtpërdrejt me diskursin e ish-presidentit Vuçiq. Kjo strategji u vlerësua si mënyrë për t’iu përshtatur mendësisë së shumicës së votuesve dhe për të siguruar fitoren.

Programi i tyre zgjedhor dhe paraqitjet mediatike nuk parashikonin një politikë përafrimi me Bashkimin Evropian apo vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Kjo vjen pavarësisht paralajmërimeve të Vuçiqit se, diku në mars të vitit të ardhshëm, “Lista Studentore” do të vendoste sanksione kundër Rusisë.

Lidhur me Kosovën, “Lista Studentore” mban një qëndrim identik me atë të ish-presidentit Vuçiq. Megjithatë, pritet të shohim variacione në qëndrime dhe veprime gjatë rrugëtimit të tyre politik.

Çfarë qasjeje do të ketë qeveria e re serbe ndaj dialogut me Kosovën, veçanërisht në një kohë kur BE-ja, por edhe Uashingtoni zyrtar, po bëjnë përpjekje të ridrejtojnë strategjinë shtetërore të Serbisë – tradicionalisht e bazuar në katër shtylla (Moska, Pekini, Brukseli dhe Uashingtoni) – drejt një trajektoreje gjeopolitike evropiane, përkatësisht atlantike?

A do të ofrohen “karota” (stimuj) për Serbinë, siç ndodhi në kohën e rrëzimit të regjimit të Millosheviqit dhe ardhjes në pushtet të Zoran Gjingjiqit, i cili konsiderohej pro-perëndimor? Edhe Vuçiq, kur erdhi në pushtet, luajti kartën e pro-evropianizmit, duke e përdorur neutralitetin si mjet për forcimin e pozicionit të Serbisë.

A është utopike të shpresohet për një ndryshim në diskursin e shtetit serb ndaj fqinjëve, një ndryshim i cili shihet si parakusht për rihapjen e rrugëtimit të tij drejt integrimit në BE?

A do të ndryshojë qasja e Serbisë ndaj Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut?

A do ta tejkalojë Serbia Shqipërinë në këtë proces, duke pasur parasysh se kjo e fundit, përmes dhunës politike dhe refuzimit të dialogut të brendshëm, rrezikon të mbetet në stanjacion?