Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mirëpritur hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe transferimin e përgjegjësive tek Policia e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një hap historik në luftën kundër tendencave hegjemoniste të Serbisë.
Përmes një postimi në platformën “Facebook”, Osmani theksoi se këto zhvillime kontribuojnë në integrimin e plotë territorial të Kosovës.
Ajo u shpreh se: “Për më shumë se 27 vjet, ndarja e Mitrovicës, përveçse shkaktoi pasiguri dhe probleme në sundimin e ligjit, mundësoi spastrimin etnik të shqiptarëve dhe uzurpimin e pronave të tyre, duke i shërbyer njëkohësisht Serbisë si alibi për të nxitur ëndrrat e saj hegjemoniste për ndarjen e Kosovës.”
Osmani shtoi se: “Prandaj, qarkullimi i lirë mbi urën kryesore të Ibrit, përveçse bashkon njerëz, mbi të gjitha shënon një hap historik drejt luftimit të tendencave të Serbisë për gllabërim territoresh. Pavarësisht vonesave të mëdha, ky hap do të ndihmojë në rritjen e sigurisë dhe konsolidimin e paqes së qëndrueshme në vendin tonë.”
Në fund, ish-presidentja Osmani shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet e angazhuara ndër vite për arritjen e këtij momenti, si dhe në veçanti për Policinë e Kosovës, e cila vazhdon të mbartë barrën kryesore të sigurisë në çdo cep të territorit dhe për çdo qytetar të vendit.
