**OVL e UÇK-së nderon dëshmorët e rënë në gjysmën e parë të majit, thekson themelin e lirisë**
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka përkujtuar me nderim dëshmorët e rënë gjatë periudhës 1-15 maj të Luftës Çlirimtare, duke theksuar se sakrifica e tyre mbetet gurthemeli i lirisë dhe shtetësisë së Kosovës.
Nëpërmjet një njoftimi të bërë publik në rrjetet sociale, OVL e UÇK-së ka publikuar emrat e qindra dëshmorëve të kombit, të cilët ranë në ditët më të vështira të luftës, duke i cilësuar ata si mbrojtës të Kosovës dhe simbol të përhershëm të lirisë.
“Në ditët më të rënda për popullin shqiptar, ata nuk u zmbrapsën përballë armikut, por u ngritën si mburojë e Kosovës dhe si zëri i pavdekshëm i lirisë. Sakrifica e tyre mbetet themel i shtetit tonë dhe amanet i përhershëm për brezat që vijnë,” thuhet në deklaratën e OVL-së të UÇK-së.
Organizata ka rikujtuar me theks të veçantë emrat e dëshmorëve të rënë gjatë kësaj periudhe, duke nderuar kontributin dhe flijimin e tyre suprem në luftën për çlirimin e Kosovës.
“OVL e UÇK-së i përkujton me nderimin më të lartë dëshmorët e rënë gjatë luftës sonë çlirimtare dhe nuk do t’i harrojë kurrë sakrificën, gjakun dhe amanetin e tyre për liri. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit!” përfundon njoftimi.
