Behgjet Pacolli, ish-president, ish-shef i diplomacisë dhe ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, ka shprehur zhgënjim të thellë lidhur me zhvillimet e fundit politike në vend, duke theksuar se skena politike po funksionon në një mënyrë shqetësuese.

Pacolli deklaroi se po e monitoron situatën “nga periferia” dhe në mënyrë neutrale, me fokus të vetëm te interesat e qytetarëve dhe të shtetit.

Ai ka deklaruar se zhvillimet politike po bëhen kryesisht për interesa partiake, klanore, familjare dhe personale, të cilat, sipas tij, shpesh janë në dëm të qytetarëve dhe të vendit. “Jam tepër i zhgënjyer, sepse e kam kuptuar dhe e shoh qartë se zhvillimet politike po bëhen kryesisht për interesa partiake, klanore, familjare dhe personale, fatkeqësisht shpesh vetëm në dëm të qytetarëve, të Kosovës, imazhit të saj dhe zhvillimit ekonomik të vendit,” theksoi ai.

Më tej, ish-presidenti shtoi se qytetarët tashmë mund ta kuptojnë pse ai vetë nuk arriti t’i realizojë synimet e tij politike, të cilat, sipas tij, ishin vetëm në interes të qytetarëve dhe shtetit. “Nuk arrita në këtë mision sepse isha i vetmuar dhe vota e qytetarit nuk ma mundësoi që në Kosovë të vendosej filozofia e ndershmërisë, respektit ndërnjerëzor, meritokracisë, tolerancës, imazhit pozitiv dhe zhvillimit ekonomik të vendit,” u shpreh Pacolli, raporton FrontOnline.