**Capital T reagon pas publikimit të bisedës me oficerin e policisë për protestat**
Reperi i njohur kosovar, Capital T, ka reaguar pas publikimit të një audio-incizimi të një bisede telefonike mes tij dhe një individi të identifikuar si oficer i Policisë së Tiranës.
Pa iu referuar drejtpërdrejt incizimit audio, reperi theksoi se gjithçka është në rregull dhe se së shpejti do të vizitojë Shqipërinë. Ai u shpreh se do t’i mbështesë gjithmonë protestuesit dhe të gjithë ata që ngrihen për kauzat e tyre, veçanërisht kur, sipas tij, u bëhet padrejtësi.
Në reagimin e tij të gjatë, Capital T theksoi se nuk mund të qëndrojë indiferent përballë situatës aktuale në Shqipëri. “Më dhemb zemra të shoh Shqipërinë në këtë gjendje,” citoi reperi, duke shtuar se mbështetja e tij për njerëzit që e kanë përkrahur nuk njeh llogari personale. Për të, nuk ekziston asgjë më e madhe se mirëqenia e popullit.
Ai deklaroi se nuk mund të vazhdojë të bëjë muzikë, të publikojë këngë apo të mbajë koncerte për sa kohë sheh këto skena. “Asgjë nuk mund të më ndalojë të reagoj,” shtoi reperi. Ai shprehu shpresën se zëri i studentëve do të dëgjohet dhe se dhuna e shkatërrimi do të ndërpriten sa më shpejt.
Duke theksuar se i ka mbështetur gjithmonë dhe se nuk kërkon as falënderime, as protagonizëm, Capital T tha: “Unë jam thjesht një prej jush.” Reperi theksoi se nuk mund të durojë të shohë padrejtësi pa reaguar, sepse, pavarësisht mirëqenies së tij personale, nuk mund të shijojë asgjë nëse njerëzit e tij nuk janë mirë. “Jemi bashkë, edhe bashkë do të qëndrojmë,” përfundoi ai.
