Gjykata Supreme e Kosovës ka pezulluar procedurën e gradimit në Policinë e Kosovës, duke aprovuar kërkesën për masë të përkohshme të sigurimit. Vendimi, i cili u mor të hënën, ndalon zbatimin e procedurës së shpallur më 28 maj 2026, bazuar në Udhëzimin Administrativ nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.
Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, e ka vlerësuar lart këtë vendim, duke deklaruar për Ekonomia Online se Gjykata ka mbrojtur Policinë e Kosovës nga ndërhyrjet politike.
“Qartësisht, gjykata në këtë rast e ka shpëtuar Policinë, respektivisht e ka mbrojtur atë nga një ndërhyrje politike, e padrejtë dhe e gabueshme për strukturën e saj,” theksoi Ramadani. Ai shprehu habinë për mënyrën dhe kohën e nxjerrjes së udhëzimit administrativ, pikërisht gjatë fushatës zgjedhore. Ramadani kundërshtoi argumentin se nuk ka pasur proces gradimi për 10 vjet, duke theksuar se udhëheqësit aktualë të policisë, ministrisë dhe qeverisë kanë qenë në detyrë për 6 vitet e fundit dhe si të tillë, janë përgjegjës. Ai shtoi se çdo tentativë për të dëmtuar Policinë nga brenda përmes ndërhyrjeve të tilla është fatkeqësi dhe përshëndeti aktvendimin e Gjykatës Supreme, me shpresën se udhëzime të tilla joprofesionale, të dëmshme dhe abuzive nuk do të lëshohen më.
Ramadani deklaroi se kalimi i gradave pa meritë dhe pa një proces zinxhiror, përbën shkelje ligjore dhe profesionale.
“Është krejtësisht e qartë se nuk ka bazë ligjore për një udhëzim të tillë. Me thënë më thjeshtë, ata kanë dashur që përmes një udhëzimi t’u kalojnë gradat personave që duan vetë, nga polici në toger, automatikisht ose me një lloj vendimi, i cili është shkelje profesionale dhe ligjore,” shpjegoi ai. Sipas tij, kjo dëmton Policinë, pasi gradat nuk merren pa meritë dhe pa një proces zinxhiror në asnjë vend demokratik. Ai u shpreh i habitur me drejtorin e Policisë, i cili e kishte pranuar dhe përkrahur një udhëzim të tillë, që në fund rezultoi antiligjor. “Gjykata nuk mund të pranojë një udhëzim të tillë, i cili demotivon zyrtarët policorë të Kosovës dhe i dëmton ata në karrierë,” shtoi Ramadani. Ai kujtoi se më 9 korrik 2024, Policia u detyrua të anulonte një konkurs për gradën rreshter për shkak të abuzimeve të mëdha, për të cilat askush nuk ka dhënë përgjegjësi as sot e kësaj dite.
Sipas Ramadanit, brenda Policisë së Kosovës janë bërë tentativa për ndërhyrje partiake. “Është qartë dhe dukshëm tentuar të partiazohet Policia, që përmes vendimeve partiake në qeveri, apo në komitete partiake, të zbatohen brenda Policisë së Kosovës, me gradime, në bazë të një udhëzimi jo ligjor, të cilin edhe gjykata e ndaloi së zbatuari,” u shpreh ai.
Gjykata Supreme ka sqaruar se ky vendim është marrë vetëm në kuadër të shqyrtimit paraprak të çështjes dhe nuk paragjykon epilogun përfundimtar të padisë. Vendimi përfundimtar për ligjshmërinë e dispozitave të kontestuara të Udhëzimit Administrativ nr. 01/2026 do të merret pas shqyrtimit të plotë të rastit në procedurën gjyqësore përkatëse.
