Vdes 37-vjeçarja italiane në Mykonos, ishte për festën e beqarisë
Një aksident i rëndë automobilistik i ka marrë jetën një 37-vjeçareje italiane në ishullin e Mykonosit, Greqi.
Mediat italiane bëjnë të ditur se viktima është Sara Ceccantini, 37 vjeçe, nga Arezzo, e cila humbi jetën të hënën, më 15 qershor, si pasojë e aksidentit.
Sipas raportimeve paraprake, ajo ndodhej në ishullin grek me miqtë e saj për të festuar beqarinë, pasi pritej të martohej të shtunën, më 20 qershor.
Sara dhe miqtë e saj po udhëtonin me një makinë me qira, të drejtuar nga një shofer i caktuar për transportin e tyre gjatë qëndrimit në ishull.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur gjatë natës së dielës, 14 qershor, drejt mëngjesit të së hënës, 15 qershor, në një rrugë lokale të ishullit. Për arsye që ende janë nën hetim nga autoritetet greke, automjeti ku ndodhej grupi i saj u përplas me një makinë tjetër.
Rrethanat e sakta të përplasjes nuk janë sqaruar ende, ndërsa hetimet vijojnë. Ndër hipotezat kryesore që po shqyrtohen nga hetuesit është ajo se automjeti tjetër i përfshirë mund të ketë kaluar në korsinë e kundërt, duke shkaktuar përplasjen. Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar.
Burime jozyrtare kanë bërë me dije se shoferi i makinës tjetër, pas aksidentit, rezultoi pozitiv gjatë kontrolleve dhe u arrestua nga policia greke.
