**Plagosje në Prishtinë: Prokuroria konfirmon ndërmarrjen e veprimeve hetimore intensive**
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar publikun lidhur me rastin e plagosjes së ndodhur mbrëmë në kryeqytet, duke konfirmuar se po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.
Sipas komunikatës së Prokurorisë, Policia e Kosovës ka njoftuar organin e akuzës se më 14 maj 2026, rreth orës 21:40, në rrugën ”Ali Sokoli” në Prishtinë, një person me inicialet A.V. është plagosur nga arma e zjarrit. Viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Prokurori kujdestar, së bashku me Policinë e Kosovës, ka dalë në vendin e ngjarjes. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar një rast penal për veprën “Vrasje e rëndë në tentativë”, sipas neneve 173 dhe 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar lidhur me këtë sulm.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka siguruar se do të mbajë opinionin publik të informuar për çdo zhvillim të mëtejshëm në lidhje me këtë rast.
