Policia e Kosovës kreu të premten një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari për krime lufte në Zubin Potok, ku u sekuestruan prova materiale.
Ky aksion vjen në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në koordinim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Bastisja pasoi arrestimin e dy personave me inicialet M.J. dhe M.B. më 28 korrik të këtij viti.
Bastisja, e realizuar me urdhër të Gjykatës Themelore, u zhvillua në pronën e të dyshuarit M.J. Gjatë kontrollit, Policia sekuestroi prova materiale që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se M.J. ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Ushtrisë Jugosllave gjatë periudhës së luftës në vitin 1999.
Të dyshuarit hetohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, e parashikuar nga neni 142 i Kodit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ).
Policia e Kosovës njoftoi se hetimet janë në vazhdim dhe theksoi përkushtimin e saj, në bashkëpunim me organet e drejtësisë, për trajtimin e të gjitha rasteve penale, veçanërisht atyre që lidhen me krimet e luftës.
