Një rast i dyshuar i bixhozit të paligjshëm është zbuluar në orët e hershme të 13 tetorit në rrugën “Kemajl Ataturk” në Mitrovicë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 03:50, Policia ka pranuar informacion për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe ka dalë në lokacion.

Në lokalin “Kafe&Çaj”, policët kanë hasur derën të hapur dhe, pasi kanë hyrë brenda, kanë vërejtur disa persona duke luajtur bixhoz. Në tavolina janë gjetur çipa dhe letra bixhozi.

Gjatë kontrollit, te L.M. është gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë, të cilën e kishte në çantën e krahut.

Në vendin e ngjarjes janë konfiskuar gjithsej 4 kofera, 1,610 çipa dhe 8 palë letra bixhozi.

Pronari i lokalit, F.P., është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për veprën “Organizim i skemave piramidale dhe bixhozi i paligjshëm”, ndërsa L.M. për veprën “Mbajtje në pronësi, posedim ose kontroll të paautorizuar të armës”.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.