Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo vizitë synon forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe avancimin e kapaciteteve të FSK-së.

Gjatë qëndrimit në SHBA, delegacioni i FSK-së, i kryesuar nga gjenerallejtënant Jashari, mori pjesë në panairin vjetor të industrisë së mbrojtjes “AUSA Annual Meeting & Exposition”, i cili u mbajt në Uashington D.C. Ky aktivitet, me mbi 700 ekspozues dhe përfaqësues nga më shumë se 100 vende, ofron mundësi të shkëlqyera për t’u njohur me teknologjitë më të fundit ushtarake dhe zhvillimet në industrinë e mbrojtjes.

Pjesëmarrja në këtë panair konsiderohet e rëndësishme për procesin e modernizimit të FSK-së dhe për ngritjen e kapaciteteve të saj operacionale.

Në kuadër të vizitës, gjenerallejtënant Jashari zhvilloi një takim në Pentagon me zëvendësndihmëssekretarin e Luftës për Luftë Jokonvencionale, Colby C. Jenkins. Gjatë këtij takimi u diskutuan çështje thelbësore sigurie, bashkëpunimi dypalësh në fushën e operacioneve speciale dhe aspekte të tjera me interes të përbashkët. Me këtë rast, u rikonfirmua mbështetja e Shteteve të Bashkuara për planin e tranzicionit të FSK-së, zhvillimin e saj profesional dhe gatishmërinë për të kontribuar në sigurinë globale.

Një tjetër takim i rëndësishëm për komandantin e FSK-së ishte ai me delegacionin e Gardës Kombëtare të Ajovës, të drejtuar nga gjeneral brigade Charles H. Lampe. Në këtë takim u vlerësuan rezultatet e deritanishme të bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës, si dhe u planifikua bashkëpunimi dypalësh për pesë vitet e ardhshme.