Raportohet se Claudio Lotito ka refuzuar një ofertë me vlerë 450 milionë euro për të blerë Lazion, e cila ishte paraqitur nga investitorë amerikanë përmes JP Morgan.

Sipas gazetës “Il Tempo”, propozimi kishte ardhur përmes JP Morgan dhe fillimisht ishte bërë nga blerës të panjohur potencialë që kërkonin të hynin në tregun e Serie A.

Megjithatë, presidenti Lotito e ka refuzuar ofertën dhe ka këmbëngulur të mbajë pronësinë e klubit.

Nuk është e qartë kur saktësisht është bërë kjo ofertë dhe sa kohë ka marrë përgjigjja negative.

Kjo histori pritet të shtojë edhe më shumë tension në situatën tashmë të nxehtë, ku ultrasit kanë bojkotuar për muaj të tërë stadiumin “Stadio Olimpico” gjatë këtij sezoni.

Ata po protestojnë ndaj menaxhimit të Lotitos, duke besuar se ai nuk investon mjaftueshëm në klub dhe preferon stabilitet financiar në vend të rezultateve në fushë.

Lotito e shpëtoi Lazion nga falimentimi i afërt në vitin 2004, por kanë kaluar 22 vite dhe tifozët po kërkojnë një pronar që është i gatshëm të investojë më shumë në skuadër.

Verën e kaluar, “Biancocelesti” u ndëshkuan me një bllokadë transferimesh prej gjashtë muajsh për shkak të moskalimit të testeve financiare, ndaj nuk mund të blinin lojtarë të rinj pa shitur më parë./GazetaExpress/