Presidentja Shiroka Pula: Barazia matet me mundësi të barabarta në jetën e përditshme

**Prishtinë** – Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë mbrëmë në edicionin e gjashtë të aktivitetit kulturor “Let’s Talk 2026”, i dedikuar komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian. Në fjalën e saj, kreu i shtetit theksoi se dialogu është ura që afron njerëzit dhe ndihmon në kapërcimin e barrierave ndarëse.

Ajo vlerësoi se iniciativa “Let’s Talk” krijon pikërisht këtë hapësirë thelbësore, ku pjesëmarrësit mund të shprehin hapur përvojat e tyre, sfidat me të cilat përballen dhe ndryshimet që dëshirojnë të shohin në shoqëri.

Presidentja Shiroka Pula nënvizoi se barazia nuk matet vetëm me të drejtat e sanksionuara ligjërisht, por edhe me mundësit konkrete që çdokush ka në jetën e përditshme për të përcaktuar të ardhmen e tij apo saj.

Sipas saj, është përgjegjësi individuale që paragjykimet të mos lejohen të bëhen pengesë për të tjerët.

Në fund të fjalës, duke iu drejtuar të rinjve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, Presidentja Shiroka Pula theksoi se aspiratat e tyre kanë një vend të rëndësishëm në Kosovë, zëri i tyre është me peshë dhe e ardhmja e tyre duhet të ndërtohet mbi mundësi të barabarta.