Humori, shmangia e temave të ndjeshme ose bisedat e hapura për pabarazinë janë tri mënyrat kryesore me të cilat njerëzit menaxhojnë dallimet klasore brenda miqësive, sipas një studimi britanik.

Nga seriali “Gavin and Stacey” te “The Good Life”, dallimet klasore kanë shërbyer si sfond për disa prej miqësive më të dashura të televizionit britanik. Por si funksionojnë këto marrëdhënie në jetën reale, kur miqtë kanë prejardhje, mundësi ekonomike dhe përvoja të ndryshme?

Një studim i Shkollës së Ekonomisë dhe Shkencave Politike të Londrës (LSE) sugjeron se ruajtja e tyre mbështetet shpesh te disa rregulla të pashkruara, të cilat studiuesit i quajnë “diplomaci klasore”.

Hulumtimi, i botuar në revistën shkencore “Social Forces”, bazohet në intervista me 42 persona në Mbretërinë e Bashkuar që kishin miq nga shtresa të ndryshme shoqërore. Ai shqyrton mënyrën se si ata i njohin, i diskutojnë ose i lënë mënjanë dallimet mes tyre.

Një nga gjetjet kryesore lidhet me humorin: batutat, ngacmimet miqësore dhe vetironia mund të krijojnë hapësirë për të pranuar dallimet, pa e kthyer bisedën në përplasje.

Sipas studiuesve, humori u mundëson miqve jo vetëm të tregojnë se janë të vetëdijshëm për prejardhjen e ndryshme, por edhe të shprehin ndjeshmëri ndaj mënyrës se si pabarazia ndikon në jetën e secilit.

Miqësia përtej përfitimit ekonomik

Profesori Sam Friedman, autori kryesor i studimit, tha për “Daily Mail” se kërkimi lindi nga një pyetje mbi mënyrën se si përshkruhen miqësitë mes shtresave shoqërore.

Ai dhe bashkautori ishin njohur me studime ekonomike nga Britania dhe SHBA-ja, të cilat, duke analizuar miliarda lidhje në Facebook, sugjeronin se miqësitë me njerëz nga familje të privilegjuara mund t’u ndihmonin personave me prejardhje më të varfër të siguronin të ardhura më të larta në të ardhmen.

Por kjo qasje, sipas Friedmanit, nuk mjaftonte për të shpjeguar vetë marrëdhënien.

“Ideja se miqësitë bazohen në transferime të njëanshme nga njëri mik te tjetri na u duk një formulë e çuditshme për një miqësi të suksesshme. Prandaj vendosëm të shqyrtonim se si funksionojnë në praktikë miqësitë ndërmjet shtresave shoqërore”, shpjegoi ai.

Intervistat trajtuan prejardhjen klasore të pjesëmarrësve, rëndësinë që i jepnin miqësisë, historinë e marrëdhënieve të tyre dhe mënyrën se si i menaxhonin dallimet.

Rrëfimet nxorën në pah se pabarazia në burime mund të krijonte ndjesinë e një marrëdhënieje të pabalancuar. Në disa raste, miku me më shumë përparësi shoqërore, ose familja e tij, kishte ndihmuar me orientimin në sistemin arsimor apo në tregun e punës. Në raste të tjera, mbështetja ishte financiare ose jepej përmes dhuratave.

Disa pjesëmarrës përshkruanin edhe rolin e mikut më të privilegjuar si një “udhërrëfyes kulturor”, që i ndihmonte të njiheshin me mjedise dhe përvoja të reja.

Humori si mënyrë për të zbutur tensionet

Përballë këtyre dallimeve, studiuesit identifikuan tri qasje kryesore.

E para ishte përdorimi i humorit, shpesh përmes ngacmimeve ndaj mikut me prejardhje më të privilegjuar.

Peteri, një bankier në të njëzetat, i rritur në një familje punëtore në Yorkshire, tregoi se bënte shaka me mikun e tij Julian, i cili kishte prindër profesionistë dhe kishte ndjekur shkollë private.

Batuta të tilla lidheshin me “kartën e kreditit të mamit dhe babit” gjatë daljeve ose me makinën që Juliani zotëronte: “Atë nuk e ke paguar vetë…”.

Në marrëdhënie të tilla, humori mund të shërbente si një mënyrë për ta bërë privilegjin të dukshëm, duke ruajtur afërsinë mes miqve.

Kur dallimet lihen jashtë bisedës

Qasja e dytë ishte shmangia e diskutimeve për klasën shoqërore, për t’i dhënë përparësi afërsisë emocionale dhe kohës së kaluar së bashku.

Samantha, një pjesëmarrëse nga shtresa e mesme, shpjegoi se miqësia e saj mbështetej te kënaqësia e shoqërisë së njëra-tjetrës. Ajo druhej se diskutimi i dallimeve mund të sillte pakënaqësi nga njëra palë dhe keqardhje nga tjetra.

“Nuk dua që ajo të ushqejë pakënaqësi ndaj meje dhe ajo nuk dëshiron që mua të më vijë keq për të”, tha Samantha.

Kjo strategji synonte ta mbronte marrëdhënien nga tensionet, duke u përqendruar tek ajo që i bashkonte.

Sinqeriteti mund ta thellojë mirëkuptimin

Qasja e tretë ishte biseda e hapur për dallimet klasore.

Pjesëmarrësit që zgjidhnin këtë rrugë, mes të cilëve gratë përfaqësoheshin më shpesh, e pranonin se sinqeriteti mund ta vinte miqësinë në provë. Megjithatë, ata besonin se diskutimi mund të ishte i dobishëm kur shoqërohej me ndjeshmëri, transparencë dhe empati.

Në vend që t’i fshihnin dallimet, përpiqeshin të kuptonin se si prejardhja dhe mundësitë e ndryshme kishin ndikuar në përvojat dhe zgjedhjet e secilit.

Studimi nuk përcakton një formulë të vetme për të gjitha miqësitë. Gjetjet e tij sugjerojnë se mënyra e trajtimit të dallimeve ka rëndësi për ruajtjen e respektit dhe të ndërsjellësisë në marrëdhënie.

Sipas autorëve, kur kjo “diplomaci klasore” funksionon, ajo mund të forcojë lidhjet shoqërore, t’i ndikojë të dy miqtë dhe të rrisë vetëdijen e tyre për pabarazitë. /GazetaExpress /