Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, mori pjesë në hapjen e punëtorisë ku u prezantuan gjetjet e studimit “Shfrytëzimi i burimeve natyrore dhe mallrave minimalisht të përpunuara në Kosovë”, të realizuar nga organizatat Rex Consulting Group dhe Civitta, me mbështetjen e LuxDev.

Gjatë adresimit të saj, Kusari-Lila theksoi rëndësinë e këtij hulumtimi për orientimin e politikave dhe hapave të ardhshëm në zhvillimin industrial të vendit. Sipas gjetjeve të studimit, potenciali ekonomik i Kosovës nuk qëndron vetëm te burimet natyrore që posedon, por edhe te aftësia për t’i përpunuar ato brenda vendit, duke krijuar vlerë të shtuar, vende të reja pune dhe produkte më konkurruese për tregun.

Ajo vuri në pah se MINTI po mbështet zhvillimin e sektorit prodhues përmes skemave të granteve për prodhim të mençur, digjitalizim dhe modernizim të proceseve prodhuese, me synim rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së bizneseve vendore.

Ministrja në detyrë theksoi gjithashtu se ministria po punon në zhvillimin e parqeve industriale të gjelbra në komuna të ndryshme të Kosovës dhe në promovimin e ekonomisë qarkore, me qëllim që pasuritë natyrore të vendit të përpunohen në Kosovë dhe të shndërrohen në produkte me vlerë të shtuar, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.