KF Prishtina e Re ka shprehur pakënaqësi të thellë ndaj arbitrimit të ndeshjes së fundit të sezonit kundër Dukagjinit, ku humbi me rezultatin 2:3, duke e konsideruar atë si një “maskaradë” të radhës në futbollin kosovar. Klubi ka akuzuar gjyqtarin Mervan Bejtullahu.
Nëpërmjet një deklarate publike, klubi theksoi se, pavarësisht rënies matematikore nga liga disa javë më parë, skuadra synonte ta mbyllte kampionatin me dinjitet dhe të ofronte futboll deri në sekondën e fundit.
Prishtina e Re ka theksuar se përpjekjet për të shpërdoruar mundin e sportistëve nga ata që duhet të garantojnë drejtësinë dhe integritetin, dëshmojnë për një mungesë ndërgjegjeje te disa individë në futbollin kosovar.
Klubi pretendon se incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë, ndërsa në deklaratë përmendet me emër gjyqtari Mervan Bejtullahu, duke e cilësuar atë si përgjegjës për vendimet e kontestuara në ndeshjen kundër Dukagjinit.
Në emër të kryesisë, stafit administrativ dhe futbollistëve, klubi u ka kërkuar falje tifozëve, familjarëve dhe të gjithë atyre që ndoqën ndeshjen, duke e cilësuar atë si një “skeç humoristik” dhe larg frymës së sportit e konkurrencës së ndershme.
“Ne deshëm vetëm të luanim futboll deri në fund. Ajo që pamë sot nuk ishte futboll. Nuk ishte garë. Nuk ishte drejtësi sportive. Dhe sigurisht nuk ishte ajo që meritojnë futbollistët, tifozët dhe vetë futbolli ynë”, përfundon deklarata e klubit.
Burimi: Indeksonline
