Kreshnik Uka siguron fitoren vendimtare të Drenicës ndaj Ferizajt

Drenica ka regjistruar sot një fitore të rëndësishme ndaj Ferizajt, në një ndeshje të vlefshme për xhiron e 35-të të Superligës së Kosovës. Skuadra e drejtuar nga Tomas Brdariç triumfoi me rezultatin 3-2 kundër Ferizajt, ekip i cili tashmë ka rënë matematikisht nga Superliga.

Sulmuesi Kreshnik Uka ishte ai që zhbllokoi rezultatin në minutën e 25-të, duke i dhënë epërsinë skuadrës së tij.

Megjithatë, reagimi i Ferizajt ishte i shpejtë dhe efektiv. Brenda vetëm tre minutave në pjesën e dytë, ekipi mysafir arriti të shënojë dy gola, duke përmbysur rezultatin dhe duke marrë epërsinë në Skënderaj.

Por Drenica nuk u dorëzua. Igball Jashari doli protagonist, duke barazuar shifrat në 2-2 në minutën e 67-të, duke rikthyer shpresat për vendasit.

Dhe kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Kreshnik Uka shënoi edhe golin e tretë për Drenicën, duke vulosur fitoren 3-2. Ky gol i tij i dytë personal ishte vendimtar për triumfin e madh të skuadrës vendase.

Me këtë fitore, Drenica ngjitet në kuotën e 47 pikëve, duke mbajtur vendin e shtatë në tabelë. Ata kanë një pikë më shumë se Llapi, i cili me 46 pikë renditet në pozitën e tetë, një pozicion që të çon në ndeshjen e barazhit për qëndrimin në kategori.