Salah i jep lamtumirën Liverpoolit: “Klubi më i mirë në botë”

Mohamed Salah ka mbajtur një fjalim lamtumire para bashkëlojtarëve të Liverpoolit, përpara ndeshjes së tij të fundit me klubin kundër Brentfordit.

Sulmuesi egjiptian theksoi presionin e madh që karakterizon jetën në “Anfield”, duke u shpjeguar lojtarëve se Liverpooli është “klubi më i mirë në botë kur fiton” dhe “më i keqi në botë kur humbet”. Ai u kërkoi shokëve të skuadrës të ruajnë standardet e larta edhe pas largimit të tij.

Salah tha se nuk dëshironte të shfaqej emocional para ndeshjes së fundit, por theksoi se do t’i mbajë gjithmonë me vete kujtimet nga periudha e kaluar te klubi.

Që prej transferimit të tij në vitin 2017, Salah ka shënuar 257 gola, duke u bërë golashënuesi i tretë më i mirë në historinë e Liverpoolit dhe duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në “Anfield”.

Trajneri Arne Slot vlerësoi ndikimin e tij thelbësor në sezonin triumfues të Liverpoolit në Premier League, duke e cilësuar Salah-un si një nga figurat kyçe të suksesit.

Pas largimit të egjiptianit, Liverpooli përballet me sfidën e madhe të zëvendësimit të një prej lojtarëve më të rëndësishëm të epokës moderne të klubit.