**Van Dijk nxit dyshime për largime të tjera te Liverpooli**
Një postim i Virgil van Dijk në rrjetet sociale ka ngjallur dyshime të forta mes tifozëve të Liverpoolit, të cilët besojnë se kapiteni holandez mund të ketë zbuluar padashur largimin e dy lojtarëve të tjerë nga klubi këtë verë.
Liverpooli po mbyll një sezon zhgënjyes, megjithëse ende garon për një vend në Ligën e Kampionëve. “Të Kuqtë” aktualisht ndodhen në një pozicion kualifikues përpara xhiros së fundit të Premier League, por nuk e kanë siguruar ende matematikisht objektivin e tyre.
Pas një sezoni që nuk përmbushi pritshmëritë, ndryshime thelbësore në skuadër shihen si të mundshme. Mohamed Salah tashmë pritet të largohet nga “Anfield” pas ndeshjes së fundit të sezonit, duke mbyllur një kapitull nëntëvjeçar me klubin nga Merseyside. Edhe Andy Robertson ka konfirmuar zyrtarisht largimin e tij.
Megjithatë, pikërisht një postim i Van Dijk në Instagram ka vënë në dyshim të ardhmen e mbrojtësit Joe Gomez dhe portierit Alisson Becker.
“Mirënjohës për rrugëtimin tonë së bashku! Edhe një ndeshje ka mbetur dhe një lamtumirë që e meritoni,” shkroi kapiteni holandez në mbishkrimin e fotos.
Në foton e publikuar, Van Dijk shfaqej përkrah Salah dhe Robertson, por befasuese ishte prania edhe e Gomez dhe Alisson. Kjo menjëherë shtyu tifozët të pyesnin nëse edhe këta dy lojtarë mund të ishin pranë largimit.
“Pse janë aty Joe dhe Ali?”, pyeti një tifoz. Një tjetër shtoi me shqetësim: “Shpresoj që kjo foto të mos nënkuptojë se edhe Alisson dhe Gomez po largohen.”
Gomez iu bashkua Liverpoolit në vitin 2015, ndërsa Alisson konsiderohet si një nga portierët më të rëndësishëm në historinë moderne të klubit. Të dy kanë qenë pjesë kyçe në fitoren e trofeve si Premier League, Liga e Kampionëve, FA Cup dhe Carabao Cup me “Të Kuqtë”.
Kontratat e tyre skadojnë verën e ardhshme, çka e bën afatin e transferimeve të kësaj vere mundësinë e fundit reale për Liverpoolin që të përfitojë financiarisht nga shitja e tyre.
Deri më tani, nuk ka asnjë konfirmim zyrtar për largimin e Gomez apo Alisson, por postimi i Van Dijkut ka mjaftuar për të ndezur një valë spekulimesh të forta mes tifozëve të Liverpoolit.
