**Ramadani: Bllokada e Kuvendit po e bën Kosovën të cenueshme ndaj rreziqeve të sigurisë**
Burim Ramadani, deputet dhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shprehur shqetësimin e tij për bllokadën pesëditore të Kuvendit, duke e cilësuar situatën e krijuar si të papërgjegjshme.
Ramadani theksoi se, si deputet dhe me sigurinë kombëtare si prioritet absolut, nuk mund ta tolerojë një gjendje të tillë.
Ai nënvizoi se sfidat gjeopolitike aktuale dhe kërcënimet në rajon kërkojnë një Kuvend plotësisht funksional. Një i tillë duhet të jetë në gjendje të buxhetojë dhe mbështesë sektorin e sigurisë, të sigurojë koordinim efektiv me NATO-n dhe të marrë vendime të qarta qeveritare e parlamentare.
Sipas Ramadanit, me mosmarrjen pjesë në seanca, Lëvizja Vetëvendosje po e lë Kosovën të ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe rreziqeve të sigurisë.
“Siguria duhet të na bashkojë të gjithëve!”, përmbylli Ramadani deklaratën e tij.
