Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport alarmant, duke zbuluar se 25 kandidatë për deputetë, të cilët garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 shkurtit, janë të përfshirë në raste penale. Lëvizja Vetëvendosje (VV) prin me numrin më të madh të kandidatëve me probleme ligjore.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, theksoi se nga 902 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), 25 prej tyre, që përbëjnë 2.77% të totalit, kanë ose aktakuza aktive, ose dënime penale të formës së prerë.

Shala sqaroi se 15 kandidatë përballen me aktakuza aktive, ndërsa 13 të tjerë kanë pasur dënime penale në të kaluarën. Më tej, ai specifikoi se 3 nga këta kandidatë janë raste të dyfishta, duke pasur njëkohësisht aktakuza aktive dhe dënime penale të mëparshme.

Sa i përket subjekteve politike, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me 13 kandidatë të përfshirë në raste penale, që përbën 1.44% të numrit total të kandidatëve të certifikuar. Pas saj vijnë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, me nga 3 kandidatë secila (0.33% e totalit). Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka 2 kandidatë me probleme ligjore (0.22%), ndërsa katër subjekte të tjera politike kanë nga 1 kandidat të tillë.

Veprat penale më të shpeshta të evidentuara në këto raste janë ato të lidhura me korrupsionin zyrtar dhe përdorimin e armës.