Netanyahu shpreh tronditjen pas të shtënave në darkën e Trumpit: ‘Tentativë vrasjeje e Presidentit amerikan’
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetin social ‘X’ lidhur me të shtënat me armë zjarri të regjistruara gjatë Darkës Vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Netanyahu shprehu lehtësimin që homologu i tij, Presidenti amerikan, dhe Zonja e Parë janë të sigurt dhe jashtë rrezikut.
Ai përshëndeti Shërbimin Sekret të SHBA-së për veprimin e shpejtë dhe vendimtar pas incidentit. Gjithashtu, kryeministri izraelit i uroi shërim të shpejtë oficerit të policisë i cili mbeti i plagosur, duke theksuar se ai ishte i vetmi i lënduar gjatë ngjarjes.
Në postimin e tij, Netanyahu shkroi: “Unë dhe Sara u tronditëm nga tentativa e vrasjes së Presidentit @realDonaldTrump mbrëmë në Uashington, DC. Jemi të lehtësuar që Presidenti dhe Zonja e Parë janë të sigurt dhe të fortë. I dërgojmë urimet tona për shërim të plotë dhe të shpejtë oficerit të plagosur të policisë dhe përshëndesim Shërbimin Sekret të SHBA-së për veprimin e tyre të shpejtë dhe vendimtar.”
Incidenti me të shtëna me armë zjarri u regjistrua në Darkën Vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë. Darka sapo kishte filluar kur një zhurmë e madhe u dëgjua pranë hyrjes së sallës.
Të pranishmit u shtrinë menjëherë përdhe. Presidenti Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania, të cilët ishin ulur në tryezën qendrore në një platformë të ngritur përballë mysafirëve, u evakuuan nga forcat e sigurisë.
Agjentët e Shërbimit Sekret hynë në dhomë të armatosur rëndë. Më pas, forcat e sigurisë urdhëruan të gjithë të ftuarit – gazetarë, ministra, politikanë dhe personalitete të ndryshme – të largoheshin nga salla e madhe e vendosur në katin e parë nëntokë të hotelit. Personi i dyshuar për ngjarjen u arrestua menjëherë, ndërsa hetimet vazhdojnë.
