Ibrahim Mbaye, nga zgjedhja e Senegalit te rekordi historik në Kupën e Botës
Franca ka mposhtur Senegalin me rezultatin 3-1 në ndeshjen e parë të Grupit I të Kupës së Botës, të luajtur në Nju Jork. Golat për francezët u shënuan nga Kylian Mbappe në minutat 66-të dhe 96-të, si dhe Bradley Barcola në minutën e 82-të.
Për Senegalin, golin e vetëm e realizoi 18-vjeçari Ibrahim Mbaye në minutën e 95-të, vetëm 20 minuta pas inkuadrimit të tij në lojë. Pavarësisht humbjes së ekipit të tij, goli i Mbaye-s shënoi një moment historik në botën e futbollit.
Me golin e tij kundër Francës, lojtari, që thuhet se refuzoi kombëtaren franceze për të zgjedhur Senegalin, jo vetëm që i riktheu shpresën ekipit të tij kombëtar për pak çaste, por gjithashtu u bë golashënuesi afrikan më i ri në historinë e Kupës së Botës.
Ai e arriti këtë sukses në moshën vetëm 18 vjeç e 142 ditë, duke vendosur një rekord të ri. Rekordi i mëparshëm mbahej nga bashkëkombasi i tij, Moussa Wague, i cili shënoi kundër Japonisë në Kupën e Botës 2018, kur ishte 19 vjeç e 263 ditë.
Për më tepër, Mbaye u bë edhe golashënuesi i katërt më i ri në historinë e përgjithshme të Kupës së Botës. Ky rekord mbahet ende nga legjenda Pele, i cili shënoi golin e tij të parë në moshën 17 vjeç e 239 ditë, i ndjekur nga Manuel Rosas (18 vjeç e 93 ditë) dhe Gavi (18 vjeç e 110 ditë).
