Elvis Rexhbeçaj do të largohet përfundimisht nga Augsburgu në fund të këtij sezoni për ta mbyllur kështu eksperiencën katërvjeçare aty.
Përfaqësuesi kosovar do të rikthehet në Wolfsburg, me të cilin nënshkroi sot kontratë deri në qershor të vitit 2030, ndërsa ekipit të ri do t’i bashkohet nga sezoni i ardhshëm, shkruan “Gazeta Express”.
Futbollisti i rritur në Gjermani ndihet i lumtur që do t’i bashkohet sërish ekipit gjelbër e bardhë, me të cilin ka lidhje emocionale pasi është produkt i akademisë së klubit.
“Rikthimi në Wolfsburg do të jetë diçka shumë e veçantë për mua. Jam rritur këtu dhe e kam nisur karrierën time në Bundesliga te VfL. Do t’u jem gjithmonë mirënjohës për këtë. Prandaj, kur u hap përsëri dera këtu, u bë menjëherë e qartë për mua se doja ta bëja këtë hap. Por një gjë është gjithashtu e qartë: deri në javën e fundit të kampionatit, do të jap gjithçka për FC Augsburg”, u shpreh mesfushori kualitativ për faqen zyrtare të Wolfsburgut.
Rexhbeçaj iu kishte bashkuar akademisë së të rinjve të Ëolfsburgut në verën e vitit 2010, në moshën 12-vjeçare, dhe përparoi nëpër të gjitha ekipet e grupmoshave.
Përmes ekipit U-23 ai përfundimisht e bëri hapin drejt ekipit të parë.
Elvisi e bëri debutimin e tij në Bundesligë në një fitore 1-0 si mysafir në Hannover më 28 janar 2018.
Në total, ai i zhvilloi 28 paraqitje në Bundesligë për “Ujqërit”.
Për të fituar më shumë përvojë në nivelin më të lartë, pasuan huazime te 1. FC Köln dhe VfL Bochum.
Më pas u transferua te FC Augsburg, ku u konsolidua si një profesionist i pjekur i Bundesligës.
Tashmë ai i numëron 212 paraqitje në Bundesligë si dhe 16 ndeshje me Kombëtaren e Kosovës. /Gazeta Express
