Rezidenca e Ambasadorit Shqiptar në Kiev Shkatërrohet nga Sulmet Ruse, Publikohen Pamjet
Rezidenca e ambasadorit të Shqipërisë në Kiev u godit mbrëmjen e djeshme nga sulmet ruse, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në pamjet video të siguruara nga Top Channel, ambasadori Ernal Fino ka dokumentuar shkatërrimet e shkaktuara nga shpërthimet.
“Kjo është pasojë e sulmit me raketa. Ja godina e banesës sime; copat e xhamit janë kudo,” shprehet ai në video.
Ky incident vjen në kuadër të një tjetër sulmi masiv rus me raketa balistike dhe dronë mbi Ukrainën, që synoi objektiva civile.
Autoritetet shqiptare konfirmuan se gjatë këtyre sulmeve të fundit u godit edhe kompleksi rezidencial ku jeton ambasadori shqiptar në Ukrainë, Ernal Fino. Kjo konsiderohet një përshkallëzim i rëndë i agresionit rus dhe një kërcënim serioz për personelin diplomatik.
Fatmirësisht, ambasadori shqiptar nuk ka pësuar lëndime fizike. Shqipëria e ka dënuar ashpër sulmin, duke theksuar se goditja e zonave civile dhe vënia në rrezik e diplomatëve përbën një shkelje të rëndë të normave ndërkombëtare dhe një dëshmi tjetër e kostos njerëzore të luftës.
