Rodri mbërrin në Barcelonë, zbulohet dita e prezantimit
Aventura e Rodrit me Barcelonën po merr jetë. Pas arritjes së marrëveshjes mes klubit katalanas dhe Manchester Cityt për transferimin e mesfushorit spanjoll, kundrejt shumës prej 65 milionë eurosh plus bonuse, futbollisti i njohur po përgatitet të mbërrijë në Kataluni.
Sipas raportimeve të “Cadena Cope”, lojtari pritet të arrijë në Barcelonë gjatë pasdites së vonë të sotme.
“Ai pritet të mbërrijë rreth orës 19:00 në qytetin katalanas, pasi tashmë ka përfunduar me sukses testet mjekësore në Manchester,” shkruan mediumi spanjoll, cituar edhe nga “Gazeta Express”.
Gjithashtu po afrohet momenti i parë zyrtar i kontaktit me ambientin e ri. Rodri, në fakt, mund të prezantohet bashkë me mbrojtësin Joao Cancelo të mërkurën, duke shënuar kështu fillimin e aventurës së tij të re me fanellën “Blaugrana”.
Pas disa javësh negociatash, mesfushori largohet përfundimisht nga Manchester City, klub me të cilin ka përjetuar vitet më të rëndësishme të karrierës, duke fituar trofe të shumtë, ndër to Ligën e Kampionëve dhe Premier Ligën.
Edhe pse i lidhur për një kohë të gjatë me Real Madridin, Rodri ka zgjedhur rikthimin në Spanjë për t’u bashkuar me projektin e Barcelonës, ku pritet të bëhet një pikë referimi e re në mesfushën e trajnerit Hansi Flick.
Një lëvizje me prestigj të jashtëzakonshëm për “Blaugrana”-t, të cilët janë gati të mirëpresin një prej futbollistëve më të mirë në botë në këtë pozicion.
