Rrëzohet kërkesa e Erion Veliajt për transmetim drejtpërdrejt të seancave gjyqësore
Seanca e radhës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, u zhvillua këtë të hënë. Veliaj nuk u paraqit fizikisht në sallën e gjyqit, duke u përfaqësuar nga avokati i tij. Mungesa e tij u justifikua nëpërmjet dy deklaratave zyrtare të përcjella nga Drejtoria e Burgjeve, ku njëra prej tyre theksonte se ai nuk dëshiron të marrë pjesë në seancë.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfaqësohet në këtë proces nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Gjatë seancës u lexua edhe kërkesa e depozituar nga Veliaj, i cili kishte kërkuar që seancat gjyqësore të transmetoheshin drejtpërdrejt, me argumentin se publiku duhet të ndjekë pa vonesë ecurinë e procesit. Megjithatë, kjo kërkesë u rrëzua nga gjykata.
Po ashtu, për seancën e sotme nuk u lejua prania e kamerave në sallë. Kjo për shkak se njëri prej të pandehurve në çështje, Elman Abule, nuk dha pëlqimin për filmim, duke rezultuar në mbylljen e procesit për mediat pamore.
