Policia e Kosovës ka sekuestruar mbi 5.500 pako cigare në një operacion të zhvilluar në zonën kufitare të Bërnjakut, pas dyshimeve për kontrabandë mallrash.

Operacioni, i kryer në koordinim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, çoi në zbulimin e një automjeti të tipit “Audi” me targa të huaja, i cili ishte i braktisur dhe dyshohej se ishte përdorur për aktivitete kontrabande.

Gjatë kontrollit të një objekti dhe zonës përreth tij, efektivët policorë gjetën dhe sekuestruan gjithsej 5.550 pako cigare të llojeve të ndryshme. Gjithashtu, pranë objektit u zbuluan edhe 19 paketa cigare, që dyshohet se ishin të kontrabanduara.

Lidhur me këtë rast, një person u intervistua si dëshmitar dhe më pas u lirua, sipas procedurave standarde.

Gjatë të njëjtit operacion, u ndalua edhe një kamion me targa të huaja, i cili transportonte materiale metalike. Drejtuesi i kamionit nuk posedonte dokumentacionin e nevojshëm për këto materiale, sipas Policisë.

Të gjitha veprimet u ndërmorën në koordinim me prokurorin kujdestar. Dogana e Kosovës ka sekuestruar cigaret, materialet metalike dhe të dyja automjetet për procedura të mëtejshme. Me autorizimin e Prokurorit të Shtetit, rasti iu dorëzua Doganës së Kosovës për trajtim të mëtejshëm.