Realizimi i shpeshtë i selfie-ve mund të shkaktojë rrudha dhe shenja të tjera në fytyrë. Ky konstatim vjen nga dermatologë ekspertë, të cilët e theksuan këtë në Konferencën dhe Ekspozitën e Estetikës së Fytyrës, mbajtur së fundmi në Londër.

Sipas tyre, ekspozimi i vazhdueshëm i fytyrës ndaj rrezatimit elektromagnetik të telefonit mund të dëmtojë lëkurën dhe të përshpejtojë procesin e plakjes.

Disa mjekë madje shkojnë më tej, duke pretenduar se mund të dallojnë me cilën dorë e mban një person telefonin kur bën selfie, pasi ana e fytyrës e ekspozuar rregullisht ndaj tij do të shfaqë më shumë dëmtime.

Dr. Simon Zokaie, drejtor mjekësor në Linia Skin Clinic, theksoi se: “Ata që bëjnë shumë selfie, si dhe blogerët, duhet të shqetësohen. Edhe drita blu që marrim nga ekranet mund të dëmtojë lëkurën tonë.”

Dr. Zokaie shtoi: “Besoj se ekziston një boshllëk në treg për produkte mbrojtëse, pasi shoh shpesh individë dhe blogerë që bëjnë shumë selfie, të cilët vijnë te unë me shenja dëmtimi dhe plakjeje të lëkurës. Bëhet fjalë për një rrezatim me gjatësi vale të ndryshme, të cilin kremi i diellit nuk mund ta bllokojë.”

Telefonat inteligjentë janë përgjegjës edhe për probleme të tjera, si “qafa teknologjike” (tech neck), e shkaktuar nga shikimi i vazhdueshëm poshtë drejt ekraneve, si dhe për shfaqjen e puçrrave dhe skuqjeve nga kontakti i shpeshtë i telefonave me fytyrën, të cilët mbartin baktere. Të gjithë këta faktorë ndikojnë negativisht në pamjen tonë ditë pas dite.

Edhe Dr. Zein Obagi, u shpreh se: “Bazuar në përvojën time, mund të them lehtësisht me çfarë dore e mban një person telefonin, në të djathtë apo në të majtë. Fillojnë të shfaqen njolla të zbehta, me pamje të parregullt, të cilat mungojnë në anën tjetër të fytyrës.”

Sipas Dr. Zokaie, kompanitë janë duke u përpjekur ta mbushin këtë boshllëk në treg, duke ofruar produkte që synojnë të garantojnë një pamje sa më fotogjenike, çka do të reduktonte nevojën për të kaluar shumë kohë duke u fiksuar pas ekranit të telefonit.