SHBA akuzon ish-udhëheqësin kuban Raúl Castro për vrasje dhe komplot në lidhje me rrëzimin e dy avionëve në vitin 1996.

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur akuza ndaj ish-udhëheqësit kuban Raúl Castro për komplot vrasjeje kundër shtetasve amerikanë dhe krime të tjera, të gjitha të lidhura me rrëzimin e dy avionëve mes Kubës dhe Floridës në vitin 1996.

Çështja, e bërë publike të mërkurën, akuzon Castron dhe pesë persona të tjerë për rrëzimin e avionëve që i përkisnin grupit kubano-amerikan “Brothers to the Rescue”. Ngjarja tragjike shkaktoi vdekjen e katër personave, mes të cilëve tre amerikanë, raporton BBC.

Castro, sot 94 vjeç, në kohën e incidentit shërbente si kreu i forcave të armatosura të vendit dhe u përball me dënim të fortë ndërkombëtar pas këtij akti. Ndërsa SHBA-ja intensifikon presionin ndaj regjimit komunist në Kubë, presidenti Miguel Díaz-Canel i cilësoi akuzat si “një manovër politike, pa asnjë bazë ligjore”.

Nga Kulla e Lirisë (Freedom Tower) në Miami, Prokurori i Përgjithshëm në detyrë, Todd Blanche, njoftoi se Shtetet e Bashkuara do ta padisin Castron edhe për shkatërrim avionësh dhe katër akuza individuale për vrasje, në lidhje me vdekjen e Armando Alejandre Jr., Carlos Alberto Costa, Mario Manuel de la Peña dhe Pablo Morales. “Shtetet e Bashkuara dhe Presidenti Trump nuk i harrojnë dhe nuk do t’i harrojnë qytetarët e tyre,” theksoi Blanche. Akuzat pritet të shqyrtohen në një gjykatë amerikane dhe disa prej tyre mund të çojnë në burgim të përjetshëm. Akuzat për vrasje parashikojnë dënimin maksimal me vdekje ose burgim të përjetshëm.

Këto akuza të reja nga Departamenti i Drejtësisë shënjestrojnë një figurë kyçe të udhëheqjes komuniste kubane, në një moment kur Kuba po përballet me presion të theksuar nga SHBA-ja për reforma thelbësore politike dhe ekonomike në sistemin e saj njëpartiak. Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur sanksione vendit dhe kanë imponuar një embargo nafte ndaj Kubës, duke shkaktuar ndërprerje të thella të energjisë dhe mungesa ushqimore.

Më herët të mërkurën, Senatori amerikan Marco Rubio lëshoi një mesazh për popullin kuban me rastin e Ditës së Pavarësisë së Kubës. “Presidenti Trump po ofron një rrugë të re mes SHBA-së dhe një Kube të re,” deklaroi Rubio. Ai shtoi se konglomerati ushtarak kuban GAESA mban përgjegjësinë kryesore për ndërprerjet e energjisë dhe mungesat ushqimore që vendi vazhdon të përjetojë.