**Shtetet e Bashkuara dhe Irani në një “lojë nervash” pas dështimit diplomatik**

Shtetet e Bashkuara dhe Irani ndodhen nën një presion të rëndë, pasi afati për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit ka kaluar dhe memorandumi i mirëkuptimit ka skaduar. Një analist i tha CNN-it të hënën se situata aktuale përbën një “lojë nervash” mes dy vendeve.

Ali Vaez, zëvendësdrejtor i programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në “International Crisis Group”, theksoi se megjithëse është një “lojë nervash”, pasojat për secilën palë janë thelbësisht të ndryshme.

Sipas Vaez, SHBA-ja po synon të “gjunjëzojë” Iranin përmes presionit, duke qenë e vetëdijshme për pasojat ekonomike që rrjedhin prej kësaj. Nga ana tjetër, Irani e konsideron dorëzimin si një çështje ekzistenciale. “Nuk ka shumë gjasa që ata të kapitullojnë dhe të dorëzohen, sepse besojnë se kjo do të ishte fundi i regjimit,” u shpreh Vaez.

Ai shtoi se diplomacia mes SHBA-së dhe Iranit “nuk ka vdekur, por është në gjendje kritike”, duke vënë në dukje se memorandumi i mirëkuptimit ishte vetëm “një faqe e gjysmë” dhe “nuk trajtonte asnjë nga mosmarrëveshjet thelbësore” mes dy palëve.

“Nëse ai (memorandumi i mirëkuptimit) nuk qëndron në fuqi për më shumë se dy javë dhe palët nuk mund të gjejnë një mënyrë për t’iu rikthyer atij, atëherë, në thelb, po, diplomacia nuk do të japë rezultate dhe kjo është një formulë për një ‘luftë të pafundme’,” paralajmëroi Vaez.

Analisti theksoi gjithashtu se strategjia e Uashingtonit për ushtrimin e presionit ekonomik ndaj Iranit thjesht do të prodhojë të njëjtin rezultat si më parë – “ashpërsimin e qëndrimit iranian”. “Presioni nuk është një strategji e re për Shtetet e Bashkuara… vazhdimi në të njëjtën trajektore nuk do të prodhojë një rezultat tjetër,” përfundoi ai.

Memorandumi i mirëkuptimit u anulua menjëherë pas nënshkrimit të tij më 17 qershor, pasi mosmarrëveshjet mbi kontrollin e Ngushticës së Hormuzit rindezën tensionet dhe çuan në rifillimin e sulmeve ushtarake.