Shërbimi Korrektues i Kosovës ka shpallur konkurs për pranimin e 50 zyrtarëve korrektues në institucionet korrektuese të Republikës së Kosovës.
“Ftojmë të gjithë të interesuarit që plotësojnë kriteret të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e një prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në vend” thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Detyrat e zyrtarit korrektues do të jenë për mbajtjen dhe kontrollin e të burgosurve në pajtim me rregullat dhe dispozitat ligjore të cilat kanë të bëjnë me punën e tyre, të sigurojë një ambient sa më të sigurt për të burgosurit, personelin dhe vizitorët, mbikëqyrë, kontrollojë dhe monitorojë lëvizjet dhe aktivitetet e të burgosurve brenda dhe jashtë institucionit, e kështu me radhë.
Sipas konkursit, 15 zyrtarë nevojiten për qendrën e paraburgimit në Gjilan, 15 për shërbimin korrektues në Dubravë, si dhe 20 për burgun e sigurisë së lartë.
Aplikimi për pozitën fillon më 20 maj dhe do te jetë i hapur deri me 19 qershor.
