**Shkenca zbardh misterin: Pse disa njerëz duan gjumin e pasdites?**

Njerëzit shpesh ndahen në dy grupe: ata që shijojnë një sy gjumë pasdite dhe ata që e shmangin atë. Tashmë, shkenca ka një shpjegim për këtë ndryshim në zakonet e pushimit gjatë ditës.

Një studim i fundit, ku janë përfshirë disa hulumtues, ka nxjerrë në pah rezultate të dobishme për të kuptuar zakonet e ndryshme të gjumit te individët. Kërkimi u përqendrua në analizimin e një proteine të quajtur SIK3 dhe ndikimit të saj në gjumin e minjve.

Përveç sasisë së orëve të gjumit, studiuesit shqyrtuan edhe aktivitetin e trurit të kafshëve gjatë gjumit dhe nivelin e tyre të vigjilencës kur ishin zgjuar. Rezultatet treguan se minjtë që kishin nevojë për më shumë orë gjumë shfaqnin një aktivitet të caktuar të trurit.

Profesor Takoto Honda, autori kryesor i hulumtimit, shpjegoi se karakteristikat e proteinës SIK3 janë të ngjashme në të gjithë botën e kafshëve, duke sugjeruar se gjetjet mund të jenë të zbatueshme edhe për njerëzit. Arsyeja pse disa individë kanë nevojë për më shumë gjumë mund të jetë drejtpërdrejt e lidhur me një mutacion të kësaj proteine.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se meqenëse studimi u krye te minjtë dhe jo te njerëzit, nuk mund të garantohet çdo gjë me siguri të plotë.