Shkëndija Dënohet Rëndë nga FFM: Gjobë 105 Mijë Euro dhe Përjashtim nga Kupa

Klubi i futbollit Shkëndija e Tetovës është dënuar rëndë nga Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFM).

Në total, Komisioni Disiplinor i FFM-së i ka shqiptuar klubit tetovar një gjobë monetare prej 105 mijë eurosh, si dhe masa të tjera disiplinore.

Dënimi i parë, në vlerë prej 15 mijë eurosh, është vendosur për shkak të përdorimit të mjeteve piroteknike gjatë finales së Kupës kundër Sileksit.

Gjithashtu, Shkëndija është dënuar me 30 mijë euro dhe me përjashtim nga garat e Kupës së Maqedonisë për sezonin 2026/27. Kjo masë vjen si pasojë e refuzimit për t’i pranuar medaljet në ceremoninë zyrtare të finales, si dhe për shkak të sjelljes së pahijshme dhe mungesës së respektit ndaj personave zyrtarë dhe ekipit kundërshtar.

Një tjetër gjobë prej 30 mijë eurosh, së bashku me katër ndeshje pa praninë e publikut, është vendosur për mosrespektimin e himnit shtetëror, konkretisht për shkak të fishkëllimave dhe sjelljes diskriminuese gjatë finales së Kupës.

Përveç Shkëndijës, FFM-ja ka dënuar edhe Vardarin me 15 mijë euro dhe Sileksin me 5 mijë euro.