Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) forcon standardet në burgje: Rregulla të reja për sjelljen dhe lejet e të dënuarve

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, ka nënshkruar sot dy akte të rëndësishme: Kodin e Mirësjelljes për të Burgosurit dhe Udhëzuesin për vlerësimin e kritereve për lejet jashtë institucionit korrektues.

Këto dokumente synojnë të rrisin standardet e sigurisë, rendit dhe disiplinës në burgje, si dhe të ofrojnë një qasje më të qartë e të standardizuar në menaxhimin e të burgosurve, duke përfshirë proceset e rehabilitimit dhe riintegrimit.

Kodi i Mirësjelljes vendos rregulla të qarta sjelljeje për personat e dënuar dhe të paraburgosur. Ai thekson respektimin e rendit dhe disiplinës, komunikimin etik me stafin dhe bashkëvuajtësit, shmangien e dhunës dhe konflikteve, si dhe respektimin e dinjitetit e të drejtave të të tjerëve. Gjithashtu, theksohet bashkëpunimi në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Nga ana tjetër, Udhëzuesi për lejet jashtë institucionit korrektues rregullon vlerësimin e kritereve për shfrytëzimin e kësaj mundësie. Ky vlerësim do të jetë individual, objektiv dhe profesional, duke u mbështetur në të dhëna konkrete, të verifikueshme dhe në analizën e rrezikut.

Gjatë procesit të vlerësimit do të merren parasysh faktorë si: vepra penale dhe qëndrimi ndaj saj, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike dhe mundësia e përsëritjes së veprës penale. Gjithashtu, në konsideratë do të merren historiku i tentativave për arratisje, rrethanat personale dhe mbështetja familjare.

Procesi i vlerësimit do të realizohet nga një ekip multidisiplinar. Ky ekip, pas shqyrtimit të të gjitha kritereve dhe rrethanave përkatëse, do të intervistojë të dënuarin dhe do t’i rekomandojë drejtorit të institucionit korrektues aprovimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar do të bazohet në vlerësimin e dokumentuar dhe legjislacionin në fuqi.

Me këto hapa, Shërbimi Korrektues i Kosovës synon të avancojë standardet profesionale, duke vënë në qendër sigurinë dhe disiplinën, por edhe rehabilitimin, përgjegjësinë personale dhe përgatitjen e të dënuarve për riintegrim të suksesshëm në shoqëri.