**Kurti mbledh drejtuesit e Vetëvendosjes në Gjilan, diskutojnë situatën politike dhe forcimin e angazhimit në terren**
Kryeministri Albin Kurti dhe drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) nga e gjithë Kosova u mblodhën dje në Gjilan, në një takim të organizuar nga dega lokale e partisë. Takimi, i cili u zhvillua në praninë e kreut të VV-së, Albin Kurti, kishte në fokus diskutimin e situatës aktuale politike dhe rritjen e angazhimit të partisë në çdo lagje e fshat.
Sipas njoftimit zyrtar të Vetëvendosjes, pjesëmarrësit u përqendruan në zhvillimet politike aktuale, me theks të veçantë procesin e konsolidimit të institucioneve.
Në tubim u fol edhe për domosdoshmërinë e rritjes së angazhimit dhe organizimit në terren. Çështjet organizative zunë një vend të rëndësishëm në agjendë, duke përfshirë forcimin dhe konsolidimin e organizimit në nivel bazë, procesin e zgjedhjeve të brendshme, funksionimin e strukturave dhe planifikimin e punës për të thelluar praninë e partisë në çdo komunitet.
Ky takim u zhvillua në një ditë domethënëse për Lëvizjen Vetëvendosje, pasi shënoi 21-vjetorin e themelimit të qendrës së parë të saj, pikërisht në Gjilan. Për të shënuar këtë përvjetor, pas diskutimeve, VV organizoi një koktej rasti.
Në njoftim theksohej se: “21 vjet organizim, aktivizëm dhe përkushtim në shërbim të qytetarëve. Një rrugëtim që vazhdon edhe me më shumë punë e përkushtim për Republikën tonë.”
