FBI arreston 35-vjeçaren, dyshohet se planifikoi sulm me bombë në Kapitolin e Shtetit të Nju Jorkut

FBI-ja ka arrestuar në Nju Jork një grua 35-vjeçare, Jessica Bowie, e cila dyshohet se po planifikonte të kryente një sulm me bombë ndaj ndërtesës së Kapitolit të shtetit në Albany, me qëllim vrasjen e ligjvënësve.

Prokurorët pretendojnë se Bowie i ishte betuar besnikëri grupit të Shtetit Islamik (IS). Ajo akuzohet për ofrimin e mbështetjes materiale ose burimeve për një organizatë terroriste të huaj të përcaktuar.

Prokurorët, siç raporton BBC, thanë se Bowie kishte mbikëqyrur vazhdimisht ndërtesën dhe mbante me vete një bombë të rreme, si dhe një armë të çaktivizuar, të cilat ia kishin siguruar agjentë të fshehtë.

“Dua të shkatërroj sa më shumë që të jetë e mundur nga ndërtesa dhe të vras senatorët,” thuhet se u ka thënë Bowie agjentëve, sipas padisë penale. Nuk është bërë e ditur nëse ajo do t’i kundërshtojë akuzat.

Bowie, nga Albany, në veri të shtetit të Nju Jorkut, dyshohet se kishte diskutuar planet e saj me informatorë të FBI-së dhe kishte kaluar javë të tëra me agjentë të fshehtë, të cilët ishin paraqitur si anëtarë të ISIS-it.

Ajo zgjodhi ndërtesën e Kapitolit të shtetit të Nju Jorkut në Albany sepse mendonte se do të ishte një objektiv më i lehtë sesa Shtëpia e Bardhë, thonë prokurorët.