Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) forcon standardet në burgje me rregulla të reja për sjelljen, sigurinë dhe pushimet e të dënuarve.

Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, ka nënshkruar sot dy akte të rëndësishme: Kodin e Mirësjelljes për të burgosurit në institucionet korrektuese dhe Udhëzuesin për zbatimin e kritereve dhe faktorëve për shfrytëzimin e pushimit jashtë institucionit.

Këto dy dokumente kanë për qëllim forcimin e sigurisë, rendit dhe disiplinës në institucionet korrektuese. Ato synojnë të ofrojnë një qasje më të qartë dhe të standardizuar në menaxhimin e të dënuarve, si dhe në proceset e tyre të rehabilitimit dhe riintegrimit në shoqëri.

Kodi i Mirësjelljes përcakton rregullat dhe standardet e sjelljes që duhet të respektohen nga personat e dënuar dhe të paraburgosur gjatë gjithë qëndrimit të tyre. Ai vë theksin te respektimi i rendit dhe disiplinës, komunikimi i duhur me stafin dhe bashkëvuajtësit, shmangia e dhunës, kërcënimeve dhe konflikteve, respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të të tjerëve, si dhe bashkëpunimi në proceset e sigurisë, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Ndërkaq, udhëzuesi për pushimet jashtë institucionit detajon mënyrën e zbatimit dhe vlerësimit të kritereve për shfrytëzimin e kësaj mundësie. Vlerësimi do të jetë individual, objektiv dhe profesional, duke u mbështetur në të dhëna konkrete, të verifikueshme dhe në një vlerësim të thelluar të rrezikut.

Në këtë proces, merren parasysh faktorë si: vepra penale për të cilën është dënuar personi, qëndrimi i tij ndaj veprës, sjellja gjatë vuajtjes së dënimit, respektimi i rregullave të institucionit, pjesëmarrja në programet rehabilituese, niveli i përgjegjësisë dhe besueshmërisë, rreziku për sigurinë publike, mundësia e përsëritjes së veprës penale, historiku i tentativave për arratisje, si dhe rrethanat dhe mbështetja familjare.

Procesi i vlerësimit kryhet nga një ekip multidisiplinar. Ky ekip, pas shqyrtimit të të gjitha kritereve dhe rrethanave, interviston të dënuarin dhe i rekomandon drejtorit të institucionit korrektues miratimin ose refuzimin e kërkesës. Vendimi përfundimtar bazohet në vlerësimin e dokumentuar dhe legjislacionin në fuqi.

Me këto hapa, Shërbimi Korrektues i Kosovës synon të avancojë standardet profesionale në institucionet korrektuese. Fokus i veçantë i vihet sigurisë dhe disiplinës, pa lënë mënjanë rehabilitimin, zhvillimin e përgjegjësisë personale dhe përgatitjen e të dënuarve për riintegrim në shoqëri.