Policia e Kosovës, përkatësisht njësitet nga Departamenti për Kufi në Koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, bazuar në informatat e brendshme të cilat janë trajtuar për një periudhë të gjatë, si dhe pas pranimit të informatës nga Dogana e Kosovës se kishin ndaluar një automjet të dyshuar me targa të Serbisë ku ishin gjetur municion të kalibrit 9mm të fshehur në bunker të improvizuar, ka ndërmarrë veprime operative në rajonin e Prishtinës ku janë kontrolluar katër lokacione të ndryshme.
Si rezultat i punës policore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, janë identifikuar dhe shoqëruar për intervistim gjashtë persona të dyshuar.
Ndërsa në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar:
– 6 armë zjarri (katër të shkurta dhe dy të gjata),
– 8919 fishekë të kalibrave të ndryshëm,
– 1 shurdhues për armë,
– 3470 Euro,
– 1 automjet me të cilin është kryer vepra penale.
Policia bën të ditur se personat e dyshuar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, dhe me vendim të prokurorit tre nga ta janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë dhe Doganën e Kosovës, do të vazhdojnë angazhimin drejt parandalimit të veprimtarive të ndryshme kriminale, përfshirë trafikimin e armëve të zjarrit” deklaron policia.










