Shqipëria dhe Kroacia thellojnë bashkëpunimin në mbrojtje, mohojnë sërish pretendimet serbe
Shqipëria dhe Kroacia janë pajtuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, përfshirë në kuadër të një deklarate trepalëshe mes tyre dhe Kosovës. Kjo vjen në një kohë kur Serbia vazhdon t’i akuzojë, duke pretenduar se po zhvillojnë një aleancë të përbashkët ushtarake kundër saj.
Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, zhvilloi një takim me homologun e tij kroat, Ivan Anušić, të mërkurën në Zagreb. Gjatë takimit, ata konfirmuan gatishmërinë e vendeve të tyre për zhvillimin e përbashkët të kapaciteteve dhe industrisë ushtarake, njoftoi Ministria Shqiptare e Mbrojtjes.
Takimi i tyre koincidon me ditën kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, paralajmëroi blerjen e armatimit të ri, duke pretenduar se po përballet me trysni nga shtetet fqinje.
“Gjendja e sigurisë është disi më e ndërlikuar sesa në janar, kur e trajtuam atë, kryesisht për shkak të veprimeve dhe aktiviteteve të mëtejshme të ‘aleancës ushtarake’ të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, deklaroi Vučić të mërkurën herët.
Ky nuk është pretendimi i parë i Vuçiqit, i cili asnjëherë nuk ka ofruar dëshmi për ta mbështetur atë.
Vitin e kaluar, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia – dy të fundit shtete anëtare të NATO-s – nënshkruan një marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë përmes një deklarate të përbashkët. Të trija vendet kanë theksuar vazhdimisht se kjo deklaratë trepalëshe nuk është drejtuar kundër askujt.
Pretendimet e liderit serb u hodhën poshtë sërish të mërkurën nga dy ministrat, Nufi dhe Anušić, të cilët ritheksuan se synimi i vetëm i deklaratës trepalëshe është forcimi i stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimi i marrëdhënieve miqësore mes tri vendeve.
Ministri Nufi, pas takimit në kryeqytetin kroat, tha se deklarata trepalëshe ka si qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. “Në këtë frymë, paqja mbetet themeli i çdo angazhimi tonë”, shkroi Nufi në Facebook.
Nga ana e tij, Anušić shkroi në Facebook se Kroacia dhe Shqipëria “ndajnë interes të përbashkët” për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. “Diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin në kuadër të deklaratës trepalëshe për mbrojtje dhe siguri, e cila nuk përfaqëson ndonjë aleancë ushtarake, por synon forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimin e marrëdhënieve tona miqësore”, shkroi ai.
Duke iu referuar drejtpërdrejt pretendimeve të Vuçiqit, Anušić theksoi se ai ka “gjithmonë të njëjtën përgjigje” kur pyetet për reagimet nga Serbia: “Kohët kur dikush i tregonte Kroacisë, tashmë shtet sovran dhe anëtar i NATO-s dhe BE-së, çfarë të bëjë dhe si ta drejtojë politikën e saj, kanë kaluar pa kthim.” Ai shtoi: “Ajo kohë nuk do të kthehet më kurrë!”
Ndërkohë, eksperti i menaxhimit të konflikteve, Edward P. Joseph, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 14 prill se “alarmet e vazhdueshme dhe të ekzagjeruara” në Beograd për deklaratën e përbashkët mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, janë shqetësuese.
Sipas tij, Beogradi duket se po e përdor këtë si “pretekst për t’u armatosur dhe për të krijuar artificialisht një ndjenjë rreziku brenda vendit”.
“Rritja e vazhdueshme e armatimit në Serbi – përfshirë blerjen e raketave supersonike kineze – përbën një shqetësim serioz. Çfarë kërcënimi synojnë të luftojnë këto raketa?”, pyeti Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins” në SHBA.
Sipas tij, Vučić ndodhet në një pozicion gjithnjë e më të dobësuar, për shkak të protestave antiqeveritare, humbjes së aleatit të tij hungarez, Viktor Orban, në zgjedhje, si dhe kritikave të Bashkimit Evropian për minimin e sundimit të ligjit.
Bashkimi Evropian, ku Serbia aspiron të anëtarësohet, i ka bërë vazhdimisht thirrje të harmonizojë politikën e saj të jashtme me atë të bllokut. Si pasojë e këtij dështimi, Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull negociatash që nga viti 2021.
