Bëhen pesë vjet që kur ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje nga posti i tij më 19 korrik 2019.

Vendimi u bë publik gjatë një mbledhjeje të rregullt të Qeverisë së Kosovës. Arsyeja kryesore e dorëheqjes së tij ishte marrja e një ftese nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku ai duhej të paraqitej në cilësinë e të dyshuarit.

Vetë Haradinaj sqaroi atëherë se: “Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga Dhomat e Specializuara në Hagë si i dyshuar.”

Ai theksoi rëndësinë e ruajtjes së dinjitetit të postit të kryeministrit dhe konfirmoi se do të paraqitej në Hagë për intervistim.

Ish-kryeministri po ashtu dha një mesazh të qartë mbi integritetin e Kosovës: “Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo ‘Dodik Republika’ janë të papranueshme.”

Haradinaj e bëri të ditur se dorëheqja e tij ishte e parevokueshme dhe se për këtë vendim do t’i informonte edhe krerët e institucioneve të Kosovës. /KP