**Shtetas polak arrestohet në Gjakovë, dyshohet për dëmtim prone**
Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një shtetasi polak në Gjakovë, i cili dyshohet për dëmtim prone. Rasti, i klasifikuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ka ndodhur më 16 maj 2026, rreth orës 05:00.
Sipas raportit të policisë, pronari i një lokali, në momentin që kishte shkuar për të hapur biznesin e tij, kishte konstatuar se njëri prej xhamave të lokalit ishte thyer.
Menjëherë, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Pas këqyrjes së pamjeve nga kamerat e sigurisë, arritën të identifikojnë dhe më pas të arrestojnë të dyshuarin, një mashkull shtetas polak.
Policia ka bërë të ditur se të dyshuarit i është nënshtruar testi i alkoolit, ku ka rezultuar me një nivel prej 1.78 promilësh alkool në gjak.
Pas përfundimit të intervistimit, me urdhër të prokurorit, shtetasi polak është dërguar në mbajtje.
