Spanja shpërblen De La Fuenten me kontratë të re

Federata Spanjolle e Futbollit dhe presidenti i saj, Rafael Louzan, janë të bindur se trajneri aktual i “La Roja” duhet të vazhdojë të drejtojë kombëtaren, me objektiv Kampionatin Botëror 2030.

Drejtuesit e futbollit spanjoll kërkojnë të rinovojnë kontratën me trajnerin kampion bote pikërisht deri në vitin 2030. Kontrata aktuale e De La Fuentës skadon në përfundim të Kampionatit Evropian të vitit 2028.

Luis De la Fuente mori drejtimin e ekipit të parë nga ekipi U-21. Ai fitoi menjëherë Ligën e Kombeve, një sukses i cili u pasua me triumfin në Euro 2024 dhe së fundmi, si qershia mbi tortë, titulli kampion bote.

Presidenti Louzan, në një intervistë të mëparshme për të përditshmen AS, kishte theksuar se pas përfundimit të Kampionatit Botëror do të bisedonte me trajnerin për rinovimin e kontratës. Për Louzan, ky nuk është thjesht një qëllim, por një bindje e thellë. Për Federatën Spanjolle vlen parimi “ajo që funksionon nuk ndryshohet” dhe ka bindjen e plotë se De La Fuente është njeriu i duhur për të vijuar dhe ruajtur ritmin kompetitiv që ka treguar që nga momenti kur mori drejtimin e Spanjës, duke e ngjitur atë në majën më të lartë të futbollit botëror.

Gjatë muajve të verës, palët pritet të ulen, të diskutojnë dhe të vendosin se cili është momenti i duhur për të nënshkruar rinovimin e kontratës. Viti 2030 do të jetë një moment historik për sportin spanjoll dhe Federata është e sigurt se kombëtarja spanjolle nuk mund të jetë në duar më të sigurta.