Studentët kanë protestuar para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës, pas emailit të dërguar nga rektori Arben Hajrullahu, të cilin e kanë cilësuar si kërcënues, raporton Ekonomia Online. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e rektorit, duke kundërshtuar përmbajtjen e emailit. Gjatë protestës, studentët kanë tentuar të hyjnë në Rektorat, ndërsa në hyrje kanë vendosur pankarta me mesazhe ironizuese ndaj Hajrullahut.

Më pas Rektori ka ftuar përfaqësuesit e studentëve për një takim brenda objektit, por ata e kanë refuzuar ftesën, duke i thënë se është vonë për një takim të tillë. Njëri nga studentët ka thënë se janë mbledhur për të kërkuar të drejtat e tyre dhe që zëri i studentëve të dëgjohet.

Ai ka kritikuar rektorin Arben Hajrullahu, duke thënë se në vend që t’u përgjigjet kërkesave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, ai ka kërcënuar me pezullim të provimeve dhe heqje të afateve.

“Jemi mbledhë këtu me i kërku të drejtat tona, që të dëgjohet zëri jonë. Në vend që rektori t’i përgjigjet kërkesave që kanë studentët, më konkretisht të Fakultetit të Mjekësisë, ai kërcënon me pezullim të provimeve, heqje të afateve. Ndonëse gjithnjë studentët këtu nuk jemi të universitetit, jemi të Universitetit të Prishtinës, mirëpo jo të Fakultetit të Mjekësisë, ne jemi solidaritet me të gjithë, ne avokojmë për të drejtat e studentëve, që të dëgjohet zëri jonë dhe Universiteti i Prishtinës si institucion është në shërbim të shfrytëzuesve, në shërbim të studentëve, e jo në shërbim të rektorit as të drejtorëve kompetent të organeve të ndryshme. Studentët dhe kërkesat e tyre janë parësore që duhen të merren parasysh dhe që të ketë reforma sa më cilësore në këtë universitet”, tha njeri prej studentëve.

Një tjetër student i Fakultetit të Mjekësisë ka thënë se rektori Arben Hajrullahu, në përgjigjen ndaj emailit të dërguar nga studentët të hënën në mëngjes, i ka kërcënuar ata me humbje të statusit të studentit.

“Ne si studentë, rektori në mëngjesin e të hënës, kur ne kemi çuar një e-mail si kërkesë, alternativë, kemi ofruar zgjidhje, ai në e-mailin që na ka kthyer, na ka kërcënuar me humbje të statutit të studentit. Fillimisht, kjo është kërcënim për të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë, por jo vetëm, është kërcënim për të gjithë studentët e Universitetit të Prishtinës”, tha ai.

Ai ka kërkuar që rektori të tërhiqet nga deklaratat, të kërkojë falje, ndërsa Këshilli Drejtues ta thërrasë në përgjegjësi, përmes dorëheqjes, shkarkimit apo masave të tjera. Ai ka theksuar se studentët meritojnë respekt dhe se universiteti nuk mund të funksionojë pa ta.

“Universiteti nuk ka kuptim pa studentët. Studentët janë shtylla e shoqërisë, janë shtylla e shtetit, prandaj meritojnë respekt dhe meritojnë që rektori sa më parë të tërhiqet nga deklarata, të kërkojë falje dhe Këshilli Drejtues t’i të thërrasë në përgjegjësi rektorin, qoftë me tërheqje, qoftë me shkarkim, qoftë me masa të tjera, për shkak se të ofendosh studentët nuk është e drejtë”, potencoi ai.