**Sulmohet një inspektor komunal në Prishtinë**

Policia e Kosovës ka njoftuar se një inspektor komunal është sulmuar të dielën në Prishtinë, teksa ishte në krye të detyrës.

Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur më 17 maj 2026, rreth orës 15:50. Inspektori komunal, viktima e sulmit, ka raportuar se gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, është kanosur dhe sulmuar fizikisht nga një person i dyshuar, pronar i një lokali, si dhe nga disa persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Viktima ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa në lidhje me rastin, policia ka intervistuar tre dëshmitarë.

Sipas policisë, të dyshuarit aktualisht ndodhen në arrati, ndërsa rasti po hetohet nga njësitë kompetente policore.