**Taarabt zbulon përplasjen fizike me Kakanë në stërvitje te Milani dhe pengjet e karrierës**
Adel Taarabt ka kujtuar së fundmi, në një intervistë të gjerë për “Gazzetta dello Sport”, periudhën e tij te Milani, duke folur hapur për arsyet pse transferimi i tij nuk u bë kurrë i përhershëm dhe ndikimin negativ që pati kjo tek ai. Ish-mesfushori maroken, përmes “CalcioMercato”, shpjegoi qartë vendimet e vitit 2014.
Taarabt zbulon se vendimi për të mos e mbajtur e kishte marrë trajneri Filippo Inzaghi. “Inzaghi nuk donte të më mbante. Kaq. Në atë periudhë unë kisha qenë më i miri, me katër gola dhe dy asistime. Dhe këtë e them me gjithë respektin për Robinhon, Kakanë dhe Balotellin, të cilët ishin lojtarë të jashtëzakonshëm”, shprehet Taarabt, duke shtuar se Clarence Seedorf, trajneri i mëparshëm, e vlerësonte shumë. “Kishim pothuajse një marrëdhënie si mes babai e biri.”
Ai kujton me mall debutimin në Champions League kundër Atletico Madridit. “Në ndeshjen e parë bëra një paraqitje të mrekullueshme. Mendova se do të më mbanin, por nuk ndodhi kështu dhe rashë në depresion. Bashkë me transferimin te PSG-ja që nuk u realizua, këto janë dy pengjet e mëdha që mbaj me vete”, thekson ai.
Mesfushori maroken nuk hezitoi të fliste edhe për incidentin e njohur, kur kishte kapur Kakanë nga fyti gjatë një stërvitjeje. “Ishte një ushtrim, sulm kundër mbrojtjes. Nuk ia pasova topin Rikyt (Kaka) dhe ai filloi të më bërtiste për disa minuta. Nuk ndalonte. Në një moment i vendosa duart rreth qafës. Për një sekondë humba kontrollin. Në fund i kërkuam falje njëri-tjetrit”, rrëfen ai.
Nuk munguan as përplasjet me Ignazio Abaten. “Ndonjëherë Seedorf më vendoste në krahun e djathtë dhe Abate ishte mbrojtësi i krahut. Ai vazhdimisht më bezdiste: ‘Shko këtu, shko atje, sulmo, mbrohu’. Në një moment humba durimin dhe i kërkova të heshtte. Ai nuk ishte kundër meje, por në fushë ishte vërtet i vështirë për t’u përballur. Ignazio është ende një njeri i jashtëzakonshëm”, tregon Taarabt.
Taarabt shprehet se nuk pendohet për reputacionin që kishte fituar si lojtar. “Askush nuk më kishte parë ndonjëherë në stërvitje. Bëja ‘sombrero’, ‘elastico’, ‘step-over’. E çmendja Mexesin. Balotelli madje më krahasoi me Neymarin. Pastaj është e vërtetë, gjatë ndeshjeve u thosha trajnerëve të shkonin në djall nëse më zëvendësonin kur nuk doja të dilja. Por unë isha gjithmonë i mirë dhe i sjellshëm. Pastaj, jashtë fushës, argëtohesha. Restorante dhe klube nate. Në Milano, pas ndeshjeve të së dielës, shkonim te klubi ‘Hollywood’”, shton ai.
Ai zbuloi gjithashtu se Luka Modric, kur ishte ende adoleshent, i kishte vënë një nofkë. “Po, më thërriste ‘Zizou’. Isha 18 vjeç dhe Luka njëherë më tha se i ngjaja Zidanit në mënyrën se si luaja. Kur këtë ta thotë një fitues i ardhshëm i Topit të Artë, sigurisht që ka peshë”, vazhdon Taarabt.
Duke folur për futbollin aktual, Taarabt vlerëson Ruben Amorimin, të cilin e njeh nga koha te Benfica. “Është një trajner i nivelit të lartë: posedon klas dhe është shumë i drejtpërdrejtë. Nëse duhet të lërë dikë jashtë, ai e bën pa asnjë problem. Shpreh hapur mendimet e tij. E krahasoj disi me Gasperinin, sepse për të kolektivi është para individit”, zbulon ai.
Taarabt ka marrëdhënie të ngushtë me Diego Moreirën, një tjetër lojtar i ri i Milanit, me të cilin kishte biseduar para transferimit. “I thashë: ‘Diego, po shkon në një klub të madh. Duhet të kesh shpatulla të gjera, sepse presioni është i madh.’ Është një djalë modest, gjithmonë i buzëqeshur. Është një anësor i djathtë me intensitet të jashtëzakonshëm dhe mund ta mbulojë të gjithë krahun. Me Amorimin mund vetëm të rritet. Dy golat kundër Lazios ishin vetëm fillimi i asaj që tifozët e Milanit do të shohin. Është i fortë, jua garantoj”, thotë Taarabt.
Megjithatë, ai tregoi më shumë kujdes kur foli për Gonçalo Ramosin. “Një tjetër mik i dashur. Është i fortë, ndonëse nuk është i sigurt nëse është një ‘numër 9’ i mirëfilltë. Te Benfica B luante në krah, e merrte topin dhe nisej me shpejtësi. Ishte si një kalë. Te Milani duket se ka vështirësi me lojën me shpinë nga porta. Mund të luajë si sulmues i dytë, por jep gjithçka për ekipin. Kundër Juventusit mbeti shumë i izoluar në zonë, megjithatë besoj se me kalimin e kohës Amorim do të arrijë të nxjerrë më të mirën prej tij”, e mbyll deklaratën e tij Adel Taarabt.
